“Thyerja e kufijve në Ballkan”: Përshkrimi i ekipit francez, që ecën me ski nëpër majën e Hajlës (Video)

4 December, 2016 | 9:17 pm

Valëvitja e dy flamujve sipër një ndërtese të lartë në Pejë, shihet në fillim të këtij dokumentari të shkurtër, që është realizuar nga një ekip francez.

Ata kanë ardhur në Ballkan si pjesë e një projekti, ku u mësojnë vendasve ecjen me ski, që është një teknikë shumë e mirë dhe e shpejtë për të lëvizur nëpër male, transmeton Telegrafi.

Maja e Hajlës që lidh Kosovën me Malin e Zi, ka qenë përzgjedhja e tyre për t’ju mësuar banorëve këtë teknikë dhe më pas për t’ju dhuruar skitë.

Pasi kanë arritur nga Gjeneva në Aeroportin e Prishtinës, ata janë dërguar në Pejë ku kanë qëndruar në qendrën e grupit ERA.

Më pas, një ekip transportuesish i ka dërguar në pjesën shqiptare të Hajlës, ku i kanë praktikuar lëvizjet me ski për t’i ushtruar disa nga vendasit.

“Është me rëndësi për ekipin tonë të mësojmë skijimin, sepse është mënyrë më e lehtë dhe e lirë e lëvizjes në male, e për të vendosur kamerat kontrolluese. Po ashtu, është me rëndësi të dimë rreziqet që na kanosen, të kuptojmë nëse do të bie ndonjë ortek dhe në rast se ndodhë të mësojmë si bëhet shpëtimi”, ka thënë Bardha Sanaj, që është pjesë e ekipit për gjetjen e rrëqebullit, transmeton Telegrafi.

“Po e shijojmë Kosovën dhe po i shikojmë djemtë teksa po provojnë skitë për herë të parë dhe po kanë sukses”, ka thënë Sam Anthamattem, para se t’i tregojë aftësitë e tij.

Më pas, ata kanë shkuar në pjesën e Malit të Zi, ku kanë mbetur të çuditur, meqë panorama që shihnin dallonte shumë nga ajo që ishin mësuar të shohin në malet e Kosovës.

Shikoni filmimin “Thyerja e kufijve në Ballkan”, ku mund t’i shihni eksperiencat e tyre në të dy shtetet dhe pamjet e bukura që ofrojnë këto vende, shkruan Telegrafi.




Ndalohen të gjitha shkrimet dhe komentet që përmbajnë gjuhë diskriminuese,denigruese, të urrejtjes apo të nxitjes së veprimeve penale