Vetëm arsimimi është e ardhmja e rinisë kosovare

20 March, 2015 | 9:00 pm

Arsimi është institucion shoqëror dhe ka misionin për transmetimin e njohurive, krijimin e shprehive dhe vlerave kulturore, nëpërmjet shkollave. Njerëzit për tërë kohën që jetojnë e punojnë kanë nevojë dhe për synim, për njohuri, shprehi dhe aftësi. Sot është shekulli XXI, ku ka arritje të mëdha teknologjike, shkencore, industriale, ekonomike etj. dhe njerëzve u duhen aftësi të mëdha të dijes, komunikimit, se duhet t’i kryejnë punët e mëdha, që sot janë shumë të ndërlikuara, me teknologji më moderne dhe shumë të larta. Arsimi, edukimi, si promotorë kryesorë të zhvillimit të teknologjisë dhe zhvillimit të një shoqërie globale, duke ecur drejt proceseve të globalizimit, sot interesimi për arsimin dhe edukimin sa vjen e shtohet nga njerëzimi.”Thelbi i edukimit ka nënvizuar Dyrheim (1956), është transmetimi prej të rriturve, i influencës, parimeve dhe vlerave morale mbi të rinjtë për t’i përgatitur ata për jetën shoqërore.” Shkollimit dhe arsimimit duhet t’i jepet përparësi dhe të investohet se është një institucion i arritjeve të njohurive shkencore dhe i thelbit të edukimit. Detyrat e shkollës janë t’i edukojë fëmijët dhe nxënësit rreth mësimit dhe lëndëve që janë të përcaktuar, që t’i mësojnë, t’i studiojnë lëndët e ndryshme, por megjithatë janë faktorë determinues të socializmit te fëmijët dhe nxënësit. Shkollat janë përcaktuesit kryesorë dhe institucionalë për socializmin e fëmijëve dhe nxënësve, ku fëmijët dhe nxënësit mësojnë se si duhet të sillen me bashkëmoshatarët e tyre me nxënësit, me njerëzit jashtë shkollës, dhe se si duhet të jenë të përpiktë në mësim. Madje Shkolla dhe programet shkollore dhe mësimdhënësit kërkojnë, nga nxënësit t’i respektojnë disiplinat shkollore dhe u kërkohet që të pranojnë dhe t’i përgjigjen autoritetit dhe personalitetit të mësimdhënësit.

Entuziazmi i arsimtarit

Pa dyshim se edhe reagimet e mësuesit, po ashtu, ndikojnë mbi bindjet që kanë nxënësit për vetën e tyre dhe madje këto bindje ndikojnë edhe pasi ata ta kryejnë shkollën. Mësuesi duhet të jetë më i përgatitur profesionalisht, por edhe duhet të shkojë i përgatitur në shkollë, në mënyrë që nxënësit të jenë më të vëmendshëm gjatë ligjërimit në orë të mësimit. Mësuesi duhet të jetë me një entuziazëm shumë të madh gjatë orës së mësimit, se nxënësit shumë shpejt do të arrijnë të marrin aftësi të mira rreth lëndës dhe mund të krijohen edhe marrëdhënie të ngrohta. Mësuesi është prindi i dytë i nxënësve, për socializmin e nxënësve, dhe pa dyshim se mësuesi duhet ta luajë rolin e prindit në shkollë, në mënyrë që nxënësit të kenë mundësinë ta shprehin mendimin e lirë dhe të janë më komunikues me mësuesin dhe me të tjerët. Filozofi i njohur, Kanti, shkruan për mësuesin se ai nuk bën të manifestojë kurrfarë animi, preference për një fëmijë në raport me të tjerët, pasi nxënësi rebelohet kur ai sheh se nuk po trajtohet njëjtë si nxënësit e tjerë. Mësuesi nuk guxon të jetë agresiv, arrogant gjatë zhvillimit apo shpjegimit të orës mësimore, ngase te nxënësit mund të ndikojë negativisht dhe nxënësit mund të bëhen të pasocializuar dhe mund të mos e respektojnë as arsimtarin dhe të jenë shumë të padisiplinuar edhe me vetë arsimtarin e tyre, por edhe në rrugë dhe shoqëri. Sot shumë prej mësuesve – arsimtarëve mund të kenë ndikim te nxënësit dhe shumë prej tyre edhe nuk mund të kenë ndikim, e disa mësues mund të prezantojnë modele e sjellje të marra nga psikologët, shkrimtarët, muzika, letërsia, sporti etj., duke u dhënë të mira për jetën dhe trupin e tyre. “Në procesin e gjatë të shkollimit të nxënësve, e të socializmit janë edhe një varg faktorësh që veprojnë aktivisht, ku sociologët pas familjes numërojnë edhe shoqërinë, duke qenë edhe vetë pjesë e bashkësisë shoqërore”. Te nxënësit nuk duhet të përdorën ndëshkime fizike në asnjë moment, por duhet të përdorën rregullat pedagogjike, që nxënësit të jenë të stimuluar për mësimin e tyre, ngase ka që nuk mund të jenë të aftë për veprimet e tyre që i bëjnë dhe mund të bëjnë veprime të palejueshme dhe mund të kalojnë me një situatë të palakmueshme.

Respekti ndaj pedagogut

Disiplina është e domosdoshme në shkollë, por arsimtari duhet të përdorë një metodologji, që te nxënësit të krijohet një shprehi se duhet të ketë disiplinë në shkollë dhe gjatë orës së mësimit, në mënyrë që nxënësit t’i kalojë në shprehi për t’u respektuar arsimtari apo mësuesi në shkollë, në rrugë dhe kudo qoftë. Nëse nuk qëndron respekti mësues-nxënës, atëherë mungon edukata. Se edukata jo vetëm që është e hapur ndaj të gjithëve, por edhe e kërkuar prej të gjithëve. Sot mësimdhënësit duhet t’i kenë parasysh problemet sociale-ekonomike, pasi shumica e nxënësve janë me kushte shumë të vështira sociale e ekonomike, por edhe me probleme të tjera psikike e fizike. Fëmijët që vijnë nga familjet e varfra, me kushte jo të mira sociale dhe ekonomike, mund të jenë me shumë pak stimulim, për shkollën. Sot, të gjitha shkollat e shteteve moderne janë të pajisur me teknikë kompjuterike, me kurse të ndryshme shkencore, sportive, gjuhëve të ndryshme etj., që organizohen brenda shkollës. Sot ky sistem i arsimit në vazhdimësi po instalohet edhe në disa shkolla të Kosovës, sidomos në vendet urbane dhe më pak në vendet rurale. Pavarësisht prej problemeve sociale dhe ekonomike dhe mungesës së pajisjeve shkollore që përmendëm më lart, mësimi duhet të jetë i organizuar, në mënyrë që nxënësi të fillojnë të analizojnë dhe krijojnë mendime psikologjike të kohës, që për nxënësit të jenë primare. Për të pasur mundësi për këto aktivitete kërkohen kushte të mira sociale dhe ekonomike për t’u avancuar gjatë shkollimit të tyre. Dhe, nxënësit me mungesë të këtyre kushteve që i kërkon koha dhe mësimi modernë e kuptojnë shkollën si të parëndësishme për jetën e tyre në atë moment dhe në të ardhmen e tyre. Shkollimi tashmë është i obligueshëm, ka një simbol të veçantë, shkolla krijon qytetari, disiplinë dhe të gjitha mekanizmat funksionalë të zhvillimit të shoqërisë. Pa shkollim nuk mundem as të zhvillohem si shoqëri dhe si shtet, madje as nuk mund të jemi të barabartë as me shtetet evropiane. Sot në Kosovë interesimi i shkollimit, leximit, edukatës, nuk është i nivelit të lartë, që duhet të jetë parimore për individin, shoqërinë, shtetin, kombin se pa arsimim nuk mund të kemi as kulturë dhe as zhvillim ekonomik. Në disa shkolla të Kosovës është krijuar një pasiguri për nxënësit, për mësuesin, për arsye se nuk ka interesim për shkollën dhe për arsimin.

Parandalimi i dukurive negative

Shpesh mediet tona lajmërojnë se në këtë shkollë apo në atë shkollë janë rrahur nxënësit, mbajnë armë të ftohta, përdorin drogën, me huliganë të ndryshëm që kanë hyrë në shkollë. Këto për ne dhe për institucionet e shtetit të Kosovës duhet të jenë të papranueshme dhe duhet të merren masa preventive për t’i ndaluar këto dukuri negative, që i bëjnë dëm shoqërisë dhe shtetit tonë. Qeveria e Kosovës duhet të jetë më e organizuar për arsimin, që të investojë në arsim, në mënyrë që nxënësit, studentët të kenë motivin për të mësuar dhe studiuar. Sot shtetet moderne janë të orientuara në arsimim, edukim, se me arsim mund të ketë arritje teknologjike dhe zhvillim të shtetit dhe të shoqërisë. Kurse nxënësve, studentëve kosovarë, përveçqë u mungojnë kushtet për të mësuar, u mungon edhe higjiena në objekte shkollore, madje edhe siguria. Kjo vjen si pasojë edhe e mosqeverisjes së mirë lokale, ku shumë pakë investohet në arsim. Përveç kësaj, që është një brengë e madhe te nxënësit, ata janë të pakënaqur edhe me mësimdhënësit e tyre, që japin lëndët më kryesore, pasi u mungon kualifikimi për lëndën që ata e kanë marrë, e ligjërojnë dhe e shpjegojnë para nxënësve. Ky nuk duhet të jetë shqetësim vetëm për nxënësit, por edhe për prindërit e tyre, se këta nxënës në të ardhmen e tyre do të mbetën me aftësi të kufizuara mësimore dhe për atë lëndë që ata mësojnë prej këtyre mësuesve. A duhet të ndodhë kjo në Kosovën tonë, siç pretendojmë ta ndërtojmë një shtet demokratik, ky është një problem që duhet të na preokupojë të gjithëve që ne po jetojmë në Kosovë. Shteti i Kosovës duhet të përkujdeset ndaj arsimit, për ta krijuar një treg të punës, ku tashmë jemi të përfshirë në procese të globalizimit dhe të shekullit të integrimit e qytetarisë. Se vetëm me arsimim dhe me edukim ne si shtet i ri mund të zhvillohemi dhe të bëhemi pjesë e tregut të lirë dhe pjesë e një shoqërie qytetare dhe moderne.

/ Ramë Hajraj /




Ndalohen të gjitha shkrimet dhe komentet që përmbajnë gjuhë diskriminuese,denigruese, të urrejtjes apo të nxitjes së veprimeve penale