Varfëria në Kosovë

1 August, 2015 | 7:17 pm


Varfëria është problem i paraqitur kudo në botë, prandaj edhe është temë e rëndësishme për tu hulumtuar dhe diskutuar. Eshtë mjaft vështirë t’i qasemi thellësisë së varfërisë dhe të njihen metodat që vendet në epokat e kaluara kanë përdorur për eliminimin ose shmangjen e saj. Edhe vendet e zhvilluara ballafaqohen me varfërinë, mirëpo posedojnë metoda te cilat ndihmojnë në zbutjen dhe eliminimin e pasojave që sjell ajo.

Prezenca e madhe e varfërisë në Kosovë është arsye e madhe për hulumtimin e saj. Kjo arsye bëhet edhe më e madhe ngase mundësitë e egzistencës ekonomike për të siguruar një jetesë normale për një pjesë të madhe të popullsisë në Kosovë është ende një cështje e cila na preokupon në aspektin njerëzor dhe intelektual.

Uria është manifestimi më ekstrem i varfërisë dhe humbjes njerëzore. Kjo është një shkelje e të drejtave themelore të njeriut. Në vitin 2000 kane qenë gjithsej 923 milion njerëz në botë të cilët vuanin nga uria, e cila është një rritje e madhe prej 80 milion personave te tillë në vitin 1990. Përveç kësaj, uria është ndër rreziqet e para të shëndetit, e cila shkakton vdekje të shumta çdo vit për shkak të malaries, HIV / AIDS, Tuberkulozit dhe shumë raste të tjera të kombinuara. Në Kosovë, sipas të dhënave të ofruara nga Banka Botërore, rreth 18% e popullsisë jetojnë nën varfëri ekstreme, mesatarisht më pak se 1 $ në ditë për cdo familje apo shtëpi. Gjithashtu, sipas Agjensionit të Statistikave për Kosovën, 45% e popullatës kosovare jeton në varfëri, ku rreth 18% jetojnë në varfëri të rrezikshme. Ata gjithashtu pohojnë se pa ndihmën e anëtarëve të familjeve që ofrojnë të ardhura nga diaspora, kjo situatë do të ishte shumë më keq. Varfëria është rritur më shumë në zonat rurale, megjithatë varfëria ndryshon në rajone të ndryshme në të gjithë Kosovën.

Gjeografikisht, 60% e njerëzve që jetojnë në varfëri jetojnë në tri rajone kryesore: Mitrovicë, Prishtinë dhe Prizren. Këto të dhëna janë nxjerrë nga Kombet e Bashkuara dhe raportet e Bankës Botërore. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, Punës dhe Mirëqenies (2007), popullsia e vendeve të zhvilluara që jeton gjithashtu nën vijën e varfërisë është afër16%, diqka që nuk është shumë larg asaj me të cilën ne po ballafaqohemi.

Disa nga shkaqet kryesore të urisë përfshijnë rritjen e popullsisë, rritjen e çmimeve të ushqimeve, konsumim i çekuilibruar i ushqimit, mungesa e shiut dhe prania e kushteve të motit të padëshiruar, si dhe mungesa e të drejtave të njeriut. Nga ana tjetër, efektet e urisë përfshijnë dëmtime të shumta të shëndetit, uljen e zhvillimit të organeve apo zhvillim të parregullt të fëmijëve, probleme me pamje, si dhe shumë sëmundje tjera dhe në disa raste edhe vdekje.

Në përgjithësi, ky problem është përhapur në mbarë botën dhe qëllimi ynë është të fillojm të zbatojm mënyra të suksesshme për të trajtuar këtë problem në Kosovë së pari. Disa mënyra që mund t’i përdorim drejt këtij veprimi përfshijnë donacione të OJQ-ve, donacion i ushqimit për komunitetet e varfëra, ngritjen e vetëdijes publike dhe mbajtjen e diskutimeve publike, dhe së fundi, edukimi i njerëzve dhe kompanive për shmangjen e hudhjes së ushqimit të tepërt dhe mënyrat për donacione të materialeve të tepërta.

Hulumtimet ime për ketë artikull po përpiqen të kuptojn shkaqet kryesore të varfërisë në Kosovë, efektin që varfëria ka në banorët e mbarë Kosovës, si dhe si mund t’i përdorim metodat e shmangjes së varfërisë të cilat momentalisht përdoren në vendet e zhvilluara. Duke bërë një lidhje me çështjet paralele të vendeve të zhvilluara në botë dhe me Kosovën, disa pyetje kërkimore janë në proces të zhvillimit

– Si të mbijetohet dhe të ulet niveli i varfërisë në Kosovë?

– Si mund ta krahasojmë dhe të kuptojmë përqindjet e ngjajshme të popullsisë që jeton nën vijën e varfërisë në vendet e zhvilluara si dhe në vendin tonë?

Cfare metoda përdorin vendet e zhvilluara për ndihmën e popullsinë që jeton nën vijën e varfërisë?

– Si mundemi ne t’i përdorim këto mësime për përmirësimin e gjendjes në Kosovë?

Çdo qytetar ka rolin e tij / saj për përmirësimin e vendit të tyre, prandaj secili prej nesh kemi për detyrë të mundohemi t’i kuptojm problemet e vendit tonë dhe të bëjmë krejt atë cka mundemi në mënyrë që sa më shumë të përparojme.

 

I Ramë Hajraj I




Ndalohen të gjitha shkrimet dhe komentet që përmbajnë gjuhë diskriminuese,denigruese, të urrejtjes apo të nxitjes së veprimeve penale