Të rinjtë e Kosovës drejt Evropës!

25 December, 2014 | 6:46 pm

E dimë se rinia është arma më e fortë dhe baza kryesore e një shteti, mirëpo në Kosovë a cilësohet si e tillë ajo? Nëpër media elektronike, nëpërmjet gazetave, portaleve të ndryshme po shohim se rinia e Kosovës po zbrazet! Përse!?

Për të gjithë ne, është e rëndësishme mënyra e jetesës se si duhet ta bëjmë, prandaj mundohemi dhe kontribuojmë që të kalojmë si më mirë. Mirëpo nëse lëvizim drejt universiteteve dallojmë të rinj të aftë me nota të shkëlqyeshme, por një mundësi kalimi në vendet perëndimore nuk do të merrte veçse një përgjigje PO nga këta të rinj.
Çka do të thotë të jesh i ri në Kosovë?

Ku është problemi që këta të rinj preferojnë vendet e huaja?
Edhe pse të gjithë të dashuruar në vendlindjen dhe krenarë me vendin ku kanë lindur, pak prej tyre do të preferonin t’i qëndronin besnik “dashurisë” së tyre.

Shumica e këtyre të rinjve po largohen për disa arsye: Disa për një jetë më të mirë, disa për t’u certifikuar nëpër universitete të huaja për të pasur perspektivë më të madhe, duke e ditur se cilësia e këtyre universiteteve është më e lartë se në Kosovë, disa për bashkim familjar etj.

Më vjen për të qarë kur shoh gjithë ata të rinj duke pritur nëpër ambasada me orë të tëra për ndonjë lajm pozitiv që të largohen nga vendlindja e tyre. Sinqerisht, këto radhë të gjata më kujtojnë kohën kur ishim refugjatë duke pritur ndihma nga organizatat humanitare. Ndërsa, sot në rrethana paqeje ky realitet është trishtues.

Mundësit e të rinjve për të depërtuar nëpër institucione shtetërore janë të pakta ose më mirë të themi nuk ekzistojnë fare!

Në këto institucione gjenden persona të ‘profesionalizuar’ që në moshë janë të shtyrë dhe njohuritë e tyre për teknologjinë bashkëkohore të kompjuterizuar, thuajse është si të vësh një person të mijëvjeçarit të kaluar përballë një kompjuteri modern të sotshëm.
Të rinjtë nuk pranohen në punë me arsye të zakonshme gjoja nuk kanë përvojë, i drejtohemi logjikës duke pyetur: Si të kem përvojë nëse nuk më jepet mundësia?

Si përfundim, të jesh i ri në Kosovë, do të thotë pas përfundimit të universiteti të kërkosh një punë si kamerier nëpër kafiteritë e Prizrenit, Prishtinës ose të shesësh mbushje elektronike, të jesh punëtor krahu duke gërryer kanale, këto janë alternativat e vetme!
Varfëria nuk është asgjë tjetër veçse ndarje e padrejtë e pasurisë.
Kjo është Kosova jonë, dikush ha sa elefanti e dikush sa mushkonja!

Ramë Hajraj




Ndalohen të gjitha shkrimet dhe komentet që përmbajnë gjuhë diskriminuese,denigruese, të urrejtjes apo të nxitjes së veprimeve penale