Ekonomia e Kosovës s’po rritet

31 July, 2015 | 5:32 pm

Ekonomia në Kosovë gjatë viteve të fundit nuk ka arritur të shënojë ngritje as deri në katër për qind, pavarësisht premtimeve dhe dëshirave të partive që kanë udhëhequr vendin.

Rritja ekonomike është rritja e prodhimtarisë, kapaciteteve prodhuese dhe të gjithë përbërësve tjerë të një ekonomie. Rritja ekonomike vjen për shkak të rritjes së fuqisë punëtore ose kapitalit.

Përderisa në vitin 2010 rritja ekonomike ka qenë 5.39 për qind, në vitin 2011 po ashtu mbi pesë për qind, në pesë vitet e fundit kjo rritje fillon të ulet.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2012 rritja reale e produktit të brendshëm bruto, arriti normën prej 3.8 për qind, kurse në vitin 2013, rritja ekonomike pati rënë në 3.5 për qind, po aq sa ka qenë edhe dy vitet që lam pas.

Ndërkaq, parashikimet e ekzekutivit për këtë vit për rritje ekonomike janë prej 4 për qind, shifër kjo që dyshohet nga ekspertë për çështje ekonomike.

Për çdo vit, bartës kryesor i rritjes ka qenë sektori publik nëpërmjet investimeve kapitale. Por, për dallim nga Kosova vendet e rajonit rritjen ekonomike nuk e mbështesin nga sektori publik, por bartës kryesor i kësaj rritje mbetet sektori privat.

Kjo rritje vazhdimisht ka qenë e pamjaftueshme për t’i adresuar problemet me të cilat ballafaqohet Kosova, si zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Nga kjo normë “rezulton“ që papunësia të ketë një shkallë të lartë mbi 30 për qind, kurse varfëria e përgjithshme afër 30 për qind, ndërkaq varfëria ekstreme 10.2 për qind.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, një përmirësim i mundshëm i zhvillimit socio-ekonomik mund të arrihet kur rritja ekonomike të jetë dy shifrore.

Por, duke marrë për bazë nivelin e rritjes në dekadën e fundit, sipas tyre do të shkojnë edhe dekada tjera deri në arritjen e 10 për qind.

Sidoqoftë, në buxhetin e Kosovës thuhet se zhvillimet pozitive ekonomike në ekonominë globale dhe Eurozonë, që pritet të shënojë trende pozitive gjatë viteve në vijim, thuhet të kenë reflektim pozitiv edhe në Kosovë.

Në Kosovë, rritja ekonomike përgjatë periudhës 2015-2017 pritet të jetë rreth 4.3%, në mesatare, e cila kryesisht pritet të mbështetet nga ngritja e konsumit si rezultat i rritjes së dërgesave nga diaspora, eksportit dhe investimeve.

 

I Ramë Hajraj I




Ndalohen të gjitha shkrimet dhe komentet që përmbajnë gjuhë diskriminuese,denigruese, të urrejtjes apo të nxitjes së veprimeve penale