nora

XHUDO: SHPËRBLIMI PËR NORA GJAKOVEN

Xhudistja Nora Gjakova dhe trajneri i saj, Driton Kuka kanë pranuar sot shpërblimet shtetërore për medaljen e artë të fituar në Kampionatin Evropian të Xhudos në kategorinë U-23, që u mbajt më 14 dhe 16 nëntor në Wroclaw të Polonisë.

Shpërblimet atyre ua ndau Ministri Memli Krasniqi në një ceremoni rasti në MKRS. Bazuar në Rregulloren për ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët kulminantë, Gjakova ka marrë shpërblim prej 5 mijë eurove, ndërkaq trajneri Kuka 2500 euro.  Ministri Krasniqi vlerësoi se Nora Gjakova është një nga sportistët më të suksesshme të Kosovës dhe që me paraqitjet dhe sukseset e saja, bashkë edhe me kampionen Majlinda Kelmendi dhe xhudistët e tjerë, kanë bërë që Kosova të njihet anekënd botës.

Ai tha se për të tashmë është një obligim edhe personal që të jetë gjithmonë pranë xhudistëve dhe sportistëve të Kosovës.

“Unë jam afruar edhe më shumë më sportin, e sidomos me xhudon. Rrugëtimi ynë i përbashkët, gjithë ato sfida e suksese kulminante mbeten për mua një prej rrëfimeve më të bukura në jetën time. Me duhet ta pranoj se vërtetë xhudoja në Kosovë mbetet një shembull i punës, disiplinës dhe padyshim suksesit”, ka shtuar ai.
Ministri Krasniqi tha se sukseset e mëdha në arenën ndërkombëtare, të arritura me shumë sfida, shpesh me mohim të përfaqësimit shtetërore, tashmë janë kurorëzuar me një nga sukseset më të mëdha të sportit të Kosovës, por edhe vendit në përgjithësi.

“Ne tashmë jemi pjesë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe më askush s’mund të na ndalë prezantimin tonë si shtet. Jam shumë i lumtur që për olimpiadën ‘Rio 2016”, ne kemi ekipin, një ekip i artë dhe kampion që besoj shumë që do të shkëlqej”, tha ministri Krasniqi. Ai shtoi se ky ishte viti i sukseseve historike për sportin dhe paralajmëroi se edhe në javët në vazhdim do të ketë lajme të mira për ndërkombëtarizimin e sportit.

Xhudistja Nora Gjakova tha se për të kjo medalje është një motivim tejet i lartë në synimin e saj që bashkë me xhudistë dhe sportistë tjerë nga Kosova të përfaqësojnë denjësisht Kosovën në Olimpiadë.

“Ligjin për sport qysh e kanë gëzuar kolegët e mi, e gëzova edhe unë në fund të vitit pas një lëndimi që ka zgjatur rreth tetë muaj, derisa jam kthyer përsëri në gara. Kjo medalje është shumë e rëndësishme për mua për shkak se është medalja e parë pas lëndimit, por është edhe medalja e parë nga kampionatet zyrtare evropiane, kështu që ju falënderoj për mikpritje, për shpërblimin dhe shpresoj se nuk do t’ju zhgënjej edhe në garat e ardhshme”, theksoi Gjakova.
Trajneri Driton Kuka kujtoi vështirësitë dhe sfidat me të cilat janë përballur për të arritur sukseset dhe kjo ndarje e shpërblimeve sot, sipas tij e përmbyll një kapitull të suksesit duke e sjellë edhe një medalje për sportin e Kosovës.

“Ne nuk do të ndalemi me punë dhe suksese. Por tash ne do të shtojmë punën dhe përgatitjet tona për përfaqësim sa më dinjitoz në Lojërat Olimpike”,

Kuka tha se përveç punës së tyre, një rol të madh në sukseset e tyre ka pasur përkrahja nga shteti.

“Është shumë e rëndësishme përkrahja shumë e madhe që kemi marrë nga ministri Krasniqi që nga fillimi i detyrës. Ai vërtetë për ne ka qenë mik dhe gjithmonë pjesë e ekipit kudo që kemi shkuar dhe bashkë do të jemi edhe në Olimpiadë”, tha ai.

Më herët shpërblime për medalje të fituara kanë marrë Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova./MKRS/





Ndalohen të gjitha shkrimet dhe komentet që përmbajnë gjuhë diskriminuese,denigruese, të urrejtjes apo të nxitjes së veprimeve penale