Si është pritur dita e Shtunë dhe Mërkurë për zejtarët Pejanë?

12 February, 2014 | 9:02 am

Disa nga mendimet e zejtarëve Pejanë, për dy ditët e javës që cilësoheshin si ditë me fitimprurëse.

Me që në Pejë, dita e shtunë është ditë tregu (Pazari i Madh), por edhe dita e mërkurë (Pazari i Vogël). Për zejtarët, këto ditë kanë rëndësi të madhe, ngase rrumbullakohet pazari javor, respektivisht, bëhet shitja e prodhimeve zejtare. Ja se çfarë thonë për këtë disa nga zejtarët me traditë:

Muharrem Burri

“E shtuna dhe dita e mërkurë, për zejtarët kanë qenë, por gjithnjë edhe sot e kësaj dite janë ditë dinamike, dhe se lirisht mund të thuhet se janë edhe ditë solemne. Të gjitha prodhimet që janë punuar ato ekspozohen për shitje. Pra, dy ditë të ëmbla janë për zejtarët e Pejës…”.

Namik Drançolli

“E shtuna?! Çfarë të them, ditë emirë, e lezeçme, e kojshme për të gjithë zejtarët, bile edhe për “qethje”!…

Mahir Belegu

“Ditët e tregut për zejtarët janë ditë feste. Kjo, ngase zejtarët përgatisin prodhimin sa më shumë dhe sa më mirë për shitje. Pastaj, ditëve të tregut këto prodhime shitën dhe kështu na begatohet jeta dhe ka perspektivë edhe zanati”.

Tahir Shala

“E shtuna për zejtarët?!… Paj, ditë dhe ajo për të na “rruar” ne blerësve. Të shtunave e të mërkurave duhet ruajtur zanatlinjve, sepse ata i kanë“mertebet” e rënda…!”.

Islam Krasniqi

“Të shtunave, nëse ke punë me zanatlinj, lirisht mos beso as në xhami! Ata nuk kanë rehati pa bërë tregëti. E kur shet, n’daq piskat, n’daqkukat,… shumë pak ki hakikat!… Kjo është vetëm pak shaka, por edhe pak përnjëmend”!

Muharrem Baloku

“E shtuna dhe e mërkura janë ditë që zejtarët duhet të kanë përgatitje dhe afinitet më të madh në zejen e tyre. Myshterinjtë janë shumë të ndjeshëm, andaj kur paguajnë, duhet tregtarët ta kanë prodhimtarinë cilësore por edhe hakikat…”.

Demë Aliu

“S’jam zejtar as tregtar. Dita e shtunë dhe e mërkurë janë plotë gjallëri. Zejtarëve nuk u besoj. Më kanë gënjyer disa herë për qepjen e pantallonave. Sot e asaj dite nuk kam shkuar për t’i marrë pantallonat. Kam frikë, se po të shkoj, sërish do të ma ziejnë disi, e unë s’kam durim…”.

Zojë Bacaj

“Mori loke, për zanatlinjtë, e shtuna është e madhe. Është Natë e Madhe, sepse fitojnë shumë, por nganjëherë edhe të mashtrojnë, pasha lokën! Kështu më ka pas ndodhur njëherë kur bleva disa gjëra për qejzin e vajzës. Ma punuan mirë. Por, edhe unë me atë inati nuk ua kam lënë huq. Kur vinin zanatlinjtë për të blerë kos, u thosha se është i dhenve. Nganjëherë u betohesha edhe në Zotin, kurse unë u shitsha atyre kosnga “tambli prashak”. Pluhur ata mua syve, pluhur unë atyre fytyrës”.




Ndalohen të gjitha shkrimet dhe komentet që përmbajnë gjuhë diskriminuese,denigruese, të urrejtjes apo të nxitjes së veprimeve penale