Qendra e kujdesit ditor «Pema» e Pejës, peng i mjeteve financiare

12 April, 2016 | 6:54 pm

Qendra e kujdesit ditor e Pejës «Pema» prej 5 vjetësh ka ofruar shërbime të ndryshme të kujdesit ditor për 90 fëmijë me nevoja të veçanta të moshave 3 deri 18 vjeç.

Lojëra të ndryshme, trajtime psiko-sociale, logopedike dhe fizioterapisë kanë qenë të përditshme deri në fund të vitit të kaluar. Mirëpo në mungesë të mjeteve kjo qendër rrezikon të mbyllet dhe kështu 90 fëmijë që frekuentojnë gjatë ditës në këtë qendër, të mbesin pa shërbime të nevojshme, shkruan sot «Koha Ditore».

Qe pesë vjet kjo qendër është sistemuar në objektin e ish-çerdhes që është ndërtuar nga KFOR-i në hapësirën komunale prapa shkollës fillore «Vaso Pasha» në lagjen «Karagaçi».

Bukurie Metaj-Muzlijaj, drejtuese e «Pemës» në Pejë, tregon se prej prillit të vitit të kaluar ka përfunduar projekti nga Komisioni Evropian, i cili ka qenë donatori kryesor. Qendra është ndihmuar edhe nga Ministria e Punës dhe Mirëqenie Sociale dhe disa donatorë të tjerë. Mirëpo, sipas saj, me ndihmën e disa donatorëve të tjerë të huaj dhe Komunës së Pejës, qendra ka arritur t’i heqë deri në fund të vitit shpenzimet e mëdha që ka për shërbimet që i ofron falas për fëmijët me nevoja të veçanta të gjitha kategorive. «Mbulojmë Pejën me rrethinë. I marrim me makinë të gjithë fëmijët në qytet dhe në fshatra. Por, me kushtet aktuale financiare që kemi, kjo qendër rrezikon të mbyllet», qanë hallin drejtuesja e qendrës./dialogplus




Ndalohen të gjitha shkrimet dhe komentet që përmbajnë gjuhë diskriminuese,denigruese, të urrejtjes apo të nxitjes së veprimeve penale