Peja ka drejtor të konviktit, ani pse s’ka konvikt fare

16 November, 2014 | 5:35 pm

Në listat e pagesava në Komunën e Pejës ekzistojnë emra të personave, posti i të cilëve nuk kërkon asnjë obligim a angazhim nga ana e të punësuarit.

I tillë është rasti me ‘drejtorin e konviktit’ i cili ende figuron në listat e pagesave, ani pse konvikti nuk shfrytëzohet si i tillë që nga paslufta, bile, tashmë edhe objekti i tij është rrënuar në tërësi.

KosovaPress mëson se Xhavit Alimusaj është emëruar si drejtor i konviktit të Pejës diku rreth vitit 2005, ani pse në atë kohë objekti i konviktit shfrytëzohej si strehimore për skamnorët.

Sot e atëherë ai figuron në listat e pagesave në këtë komunë si drejtor i konviktit.

As objekt të konviktit s’ka, e edhe kur ka pasë s’ka qenë konvikt por srehimore, por ‘drejtor konvikti’ ka pasë gjithmonë, me ose pa studentë të vendosur aty.

Komuna e Pejës fajin për këtë e bartë tek Ministria e Arsimit, derisa kjo e fundit thotë se në vitin 2013 drejtorët e konvikteve u janë bartë komunave, me një memorandum mirëkuptimi mes MAShT-it dhe komunave.

KosovaPress ka kontaktuar drejtorin e Drejtoratit për Arsim në Komunën e Pejës, Besim Avdimetaj, i cili ka pranuar se ende ekziston ‘drejtori i konviktit’.

Por, sipas tij, ai është emëruar nga Ministria e Arsimit dhe se Komuna e Pejës nuk ka ndonjë obligim ndaj tij, njëjtë si ai ndaj komunës.

Për këtë, Avdimetaj ka dhënë një sqarim të shkurtë përmes telefonit./GazetaExpress/




Ndalohen të gjitha shkrimet dhe komentet që përmbajnë gjuhë diskriminuese,denigruese, të urrejtjes apo të nxitjes së veprimeve penale