Paralizohet trafiku në Pejë

18 August, 2014 | 11:30 am

 

“Kjo infrastrukturë rrugore që është në Pejë nuk e përballon këtë numër të madh të automjeteve”, thotë komandanti i Trafikut Rajonal të Pejës, Arben Visoqi. Policia e trafikut i ka reduktuar pushimet vjetore në mënyrë që të jenë sa më shumë në terren derisa të kthehen mërgimtarët nga kanë ardhur.

Ardhja e numrit të madh të mërgimtarëve me automjete në pushime kësaj vere, ia kanë treguar kufijtë infrastrukturës rrugore të Pejës.

Qarkullimi i automjeteve në qytet është pothuajse i pamundur të jetë rrjedhshëm e pa bllokime. Në Pejë më shpejtë ec në këmbë sesa me makinë, dhe atë jo vetëm gjatë sezonit të verës.

“Kjo infrastrukturë rrugore që është në Pejë nuk e përballon këtë numër të madh të automjeteve”, tregon për gazetën Tribuna, komandanti i Trafikut Rajonal të Pejës, Arben Visoqi.

Ai thotë se, me kapacitetet që i ka policia, po mundohen ta menaxhojë sa më mirë gjendjen e krijuar.

“Mirë që nuk e kemi këtë numër të automjeteve tërë vitin se na ishte dashtë ta dyfishojmë numrin e policëve, përndryshe nuk i kishim dalë në krye”, thotë togeri Visoqi.

E për t’i dalë në krye kësaj gjendje me këto rrugë të stërngarkuara me automjete, pak policë të trafikut do ta shohin “detin me sy” në muajin gusht.

Policia e trafikut i ka reduktuar pushimet vjetore në mënyrë që të jenë sa më shumë në terren derisa të kthehen mërgimtarët nga kanë ardhur.

Problemin e infrastrukturës rrugore në qytet, policia ia ka përcjellë edhe komunës. Por ka pak shpresa që kjo infrastrukturë do t’i përshtatet rritjes së automjeteve në një të ardhme të afërt.

“Ky problem që po krijohet vetëm gjatë sezonit të verës kur vijnë mërgimtarët, është pasojë e planifikimit të infrastrukturës rrugore të Pejës shumë vite më parë dhe momentalisht vështirë që mund të ndryshojmë diçka”, thotë Ukë Selimaj, drejtor për Punë Komunale dhe Shërbime Publike.

Projektet për pakësimin e makinave brenda në qytet kanë dështuar deri tash.

Para tri viteve u aktivizua transporti urban publik, por u ndërpre pas dy viteve për shkak të numrit të pakët të qytetarëve që shfrytëzuan këtë transport.

Pastaj ka qenë edhe projekti për përdorimin më të madh të biçikletës, por as kjo nuk ka ndezë deri tash, ngase shumica e banorëve të Pejës thjeshtë preferojnë të lëvizin me makina pavarësisht tollovisë që krijohet çdo ditë nëpër rrugë edhe kur s’ka mërgimtarë. /Tribuna/




Ndalohen të gjitha shkrimet dhe komentet që përmbajnë gjuhë diskriminuese,denigruese, të urrejtjes apo të nxitjes së veprimeve penale