Kosova me reciprocitet

15 December, 2013 | 9:13 pm

Qeveria ka marrë vendimin për ndryshimin e kushteve të hyrjes dhe regjimit të vizave për të huajt në Republikën e Kosovës.

Kosova ka marrë vendim që të vendosë masa të reciprocitetit me Republikën e Bosnjë e Hercegovinës sa i përket regjimit të vizave. KTV-ja ka mësuar se në njërën prej mbledhjeve të veta, Qeveria ka marrë vendimin për ndryshimin e kushteve të hyrjes dhe regjimit të vizave për të huajt në Republikën e Kosovës.
Sipas pikës 6 të këtij vendimi, të cilin e ka siguruar KTV-ja, shtetasit e vendeve që nuk janë të listuara në pikën 1. të këtij vendimi, ose me të cilat nuk ka marrëveshje ndërkombëtare për hyrjen, transitin, ose qëndrimin në Republikën e Kosovës, mund të hyjnë, të kalojnë ose të qëndrojnë në territorin e Republikës së Kosovës me kusht që të kenë dokument udhëtimi valid dhe vizë kosovare. E një nga këto shtete është edhe Bosnjë e Hercegovina. Në vendim po ashtu thuhet se Ministria e Brendshme, Policia e Kosovës dhe Ministria e Jashtme janë përgjegjëse për zbatimin e vendimit.
Burime të KTV-së brenda Ministrisë së Jashtme kanë bërë të ditur se shtetasit e Bosnjë e Hercegovinës vizat kosovare duhet t’i marrin në Ambasadën e Kosovës në Shqipëri. E, shtetasit e vendeve për të cilat Republika e Kosovës aplikon regjim vizash, por të cilët kanë leje qëndrim biometrik valid, të lëshuar nga një prej shteteve të zonës Schengen, po ashtu bartësit e vizës valide shumëhyrëse të Schengenit lirohen nga nevoja për t’u pajisur me vizë kosovare për hyrje, transit dhe qëndrim në territorin e Republikës së Kosovës. Mirëpo qëndrimi i tyre brenda territorit të Kosovës kufizohet në 15 ditë.
Bosnjë e Hercegovina është një ndër vendet që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës./indeksonline/




Ndalohen të gjitha shkrimet dhe komentet që përmbajnë gjuhë diskriminuese,denigruese, të urrejtjes apo të nxitjes së veprimeve penale