Hulumtime për ilaç të ri spërkatës kundër mushkonjave

27 April, 2014 | 10:26 pm

Në shumë rajone të botës, mushkonjat janë thjesht një insekt sezonal. Por në disa rajone të tjera, ato mbartin sëmundje serioze si malaria. Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se gati 630 mijë njerëz kanë vdekur nga shkaqe të lidhura me malarien në vitin 2012, kryesisht në Afrikën nën-Sahariane. Materiali në vazhdim na njeh me punën e një grupi shkencëtarësh me bazë këtu në SHBA, të cilët po punojnë për zhvillimin e një insekticidi më të efektshëm dhe më pak të kushtueshëm kundër mushkonjave se ata në përdorim. 

Hulumtimi, në Universitetin e Kalifornisë në Riverside, bazohet në faktin se mushkonjat përdorin të njëjtin receptor si për zbulimin e dioksidit të karbonit të frymës së njeriut dhe për erën e lëkurës, kur ato i afrohen njerëzve.
Studiuesi kryesor, Anandasankar Ray, thotë se shkencëtarët testuan më shumë se një milion përbërje kimike deri sa gjetën një substancë të quajtur Ethyl Pyruvate që bllokon funksionimin e receptorit të mushkonjave.

“Kur ne aplikojmë Piruvat etilik në krahun e një personi dhe e afrojmë atë pranë mushkonjave të uritura në një kafaz, shumë pak prej mushkonjave do të tërhiqen prej krahut të njeriut, sepse vetëm pak prej tyre janë në gjendje ta nuhasin atë.”

Genevieve Tauxe, një nga studiueset, thotë se gjetja e neuroneve të mushkonjave të cilat zbulojnë frymën dhe erën e lëkurës sonë nuk ishte e lehtë.

“Me këtë aparat, jemi në gjendje që në mënyrë efektive të fusim një elektrodë shumë të vogël në pjesën e hundës mushkonjës ku ndodhen neuronet e saj të nuhatjes dhe ku procesi i nuhatjes ndodh.”

Me këto instrumente, shkencëtarët ishin në gjendje të zbulonin sinjalet që neuronet e mushkonjave dërgojnë në trurin e saj, kur insekti dallon aroma tërheqëse për të. Kompjuteri tregon kur tërheqja është e fortë apo e dobët.

Zoti Ray thotë se një ilaç kundër mushkonjave bazuar tek Piruvati etilik mund të jetë më i lirë për t’u prodhuar se kimikati DEET, më i efektshmi në përdorim për momentin, për të cilin ai thotë se është shumë i shtrenjtë për shumicën e njerëzve në zonat e prekura nga malaria.

“Ndoshta duke zbuluar e projektuar aroma që mund të sulmojnë më mirë receptorët në fjalë, ne do të jemi në gjendje të përmirësojmë DEET-in dhe të krijojmë një produkt të fundit më të mirë për kontrollin e sjelljes së insekteve.”

Studiuesit e Universitetit të Kalifornisë thonë se besojnë se së shpejti do të jenë në gjendje të gjejnë një mënyrë për të prodhuar kimikate kundër mushkonjave më të lira dhe më të efektshme./ZëriAmerikes/




Ndalohen të gjitha shkrimet dhe komentet që përmbajnë gjuhë diskriminuese,denigruese, të urrejtjes apo të nxitjes së veprimeve penale