Historiku i Shkollës së Mesme Ekonomike “Ali Hadri” Pejë

24 July, 2014 | 10:40 am

 Shkolla e Mesme Ekonomike në Pejë u themelua menjëherë pas luftës së Dytë botërore, pikërisht në vitin 1946 me emrin Akademia Tregtare Shtetërore e cila së pari ishte paraparë që të themelohej në Prishtinë, mirëpo për shkak të shpërndarjes më racionale të shkollave në tërë territorin e Kosovës ku është marr vendim që ajo të themelohej në Pejë.

 

Pasi që në fillim shkolla nuk kishte lokale të veta, ajo u vendos në ndërtesën e Gjimnazit dhe aty punoi vetëm një muaj dhe pas kësaj u vendos në ndërtesën e dikurshme të gjimnazit të vjetër në Pelivan Mejdan. Shkolla së pari kishte vetëm dy klasë me gjithsejtë 95 nxënës, kryesisht stipendistë të Ministrisë së atëhershme të tregtisë. Me kohë shkolla filloi të rritej me rritjen e numrit të nxënësve dhe personelit arsimor e me këtë shkollës i nevojitej lokal më i madh dhe me vendimin e organeve komunale të atëhershme ajo kaloi në ndërtesën e ish kazermave të vjetra ku qëndroi deri në vitin 1972. Me vendimin e Ministrisë së arsimit, në këtë vit themelohet Qendra ekonomike e cila në kuadrin e vet përfshinte edhe shkollën bujqësore dhe shkollën tregtare, dhe kalon në ndërtesën e shkollës bujqësore, e cila posedonte lokal të mjaftueshëm për vendosjen e të gjithë nxënësve. Pas reformës  shkollore të  vitit 1981, në tërë ish Jugosllavinë dhe në Kosovë, Shkolla e Mesme

 

Ekonomike në Pejë u nda në dy organizata themelore të punës së bashkuar: 1. OTHPB “25 Maji”, që përfshinte nxënësit e klasës I dhe të II që quhej Faza e parë, dhe 2. OTHPB Faza e Dytë që përfshinte nxënësit e krasëve të III dhe IV . E gjithë kjo në kuadër të QAEMO-s “ Boro e Ramizi”, ku bënin pjesë edhe shkollat tjera të mesme të Pejës. Më 1989 pasoi edhe një reformë  shkollore. Këto shkolla u bashkuan si më parë në Shkollën e Mesme Ekonomike që kishte disa degë dhe profesione arsimore: Dega ekonomiko komerciale me profesionet, teknik komercial dhe teknik financiar, Dega juridike me profesion teknik juridik dhe teknik administrativ, Dega tregtare me profesionet teknik i tregtisë dhe shitës, Dega bujqësore me profesionet teknik pemëtar-vreshtar, teknik i pylltarisë, teknik veterine. Ndërtesa e Shkollës së Mesme Profesionale “Ali Hadri” në Pejë sot shtrihet në pjesën perëndimore të qytetit, pikërisht buzë magjistrales Pejë-Mitrovicë në ndërtesën e ish shkollës Bujqësore e cila u ngrit në vitin 1961.. Në të kanë mësuar nxënës te të gjitha kombeve dhe kombësive të ish-Jugosllavisë, madje edhe të huaj. Ajo ka pasur emra dhe udhëheqës të ndryshëm gjatë këtyre decenieve, që varej kryesisht nga kushtet politike të këtij vendi, ambientit dhe rrethanave të tjera./kosbet/GazetaLokale/




Ndalohen të gjitha shkrimet dhe komentet që përmbajnë gjuhë diskriminuese,denigruese, të urrejtjes apo të nxitjes së veprimeve penale