Shkolla fillore “Asdreni”, ndër shkollat më të suksesshme në Pejë

21 January, 2014 | 9:58 am

Shkolla fillore ”Asdreni” e themeluar në vitin 1962 me vendimin e Këshillit Popullor nr.01-14194/1-01962 gjendet në pjesën veri-perëndimore të qytetit të Pejës në rrugën “Xhevat Begolli” nr.11.
Shkolla fillimisht u pagëzua me emrin “Ivo Llolla Ribar”. Drejtor i parë i kësaj shkolle ishte Sylejman Bojku, arsimtar i Biologjisë, i cili e udhëhoqi shkollën deri më 1976.
Në fillim shkolla kishte 28 paralele ku 12 prej tyre ishin në Gjuhën Shqipe me 489 nxënës ndërsa 16 paralele ishin në Gjuhën Serbo-Kroate me 617 nxënës. Mësimi zhvillohej në dy ndërrime. Objekti shkollor kishte 17 klasa mësimi.

Shkolla ndryshoi emrin në vitin 1975 në emrin “Vëllezërit Ribar”. Më 1976 drejtori Sylejman Bojku zëvendësohet nga Petar Stojanovic, me përkateësi Malazeze. Pastaj dhe vazhdojnë emërimet e drejtorëve të tjerë si: Emsale Gjuka në vitin 1977/78 pastaj  Shkëlzen Broqi 78/79, Haxhi Ferizi 79/80. Në vitin shkollor 1980/81 këtë detyrë e ushtroi  Rrustem Pavata ndërsa në vitin 1981 u emërua Skender Shala i cili vazhdoi të jetë drejtor deri më 1983 ku dhe Emsale Gjuka emërohet prapë deri në vitin 1990. Më tej vazhdon Azem Selimaj deri në vitin 2003 ku dhe emërohet Angjelina Bardhaj e cila vazhdon të ushtrojë detyrën deri më 2006 dhe pasohet nga Adem Nikçi i cili dhe është drejtor aktual i Shkollës  fillore Asdreni.
Riemërimi i Shkollës në emrin “Asdreni”, u bë në vitin 1992 nga Ministria E arsimit të Republikës së Kosovës.
Si të gjitha shkollat e Kosovës edhe shkolla jonë pati reprezaljet e veta  nga pushtuesi gjatë viteve të 90-ta.
Mirëpo përkundër këtyre represioneve, shkolla “Asdreni” ka arritur të pësojë ndryshime rrënjësore si në infrastrukturë ashtu edhe në qasje mësimore p.sh. në vitin 2002 në shkoll u instalua ngrohja qendrore , investim ky nga USAID-i ; më 2004 u ndërtua një aneks prej 6 klasëve nga Unioni Europian; më 2007 u rinovua tërë oborri i përpara  shkollës dhe u bë humanizimi i kopshtit shkollor si investim i Kuvendit Komunal dhe komunitetit të prindërve; më 2009 u ndërrua komplet çatia e shkollës; më 2010 u ndërtua edhe një aneks me sipërfaqe prej 250 metra katrorë dhe u rrit numri i nyjeve sanitare për 13 tualete për nxënës më 2011 u riparua komplet salla e Edukatës Fizike financuar nga  Kuvendi Komunal; më 2012 u ngrit Qendra për Ngritjen Profesionale të Mësimdhënësve e financuar nga USAID si dhe dy klasa të shekullit 21 të pajisura me aparaturë të nevojshme për punë.

Shkolla fillore e Mesme e Ulët “Asdreni” tanimë njihet si një ndër shkollat më të suksesshme sa i përket mësimit dhe aktiviteteve të cilën gjë e ka dëshmuar përgjatë garave në nivele komunale dhe shtetërore.
Shkolla sot ka 1079 nxënës. Mësimi zhvillohet në dy ndërrime. Ndërrimi i parë fillon prej orës 08:00 paradite dhe mbaron në 12.40 ndërsa ndërrimi i dytë fillon në orën 13:00 pasdite dhe mbaron në ora 17:00 pasdite.
Në procesin mësimor janë të angazhuar 47 mësimdhënës.
Sa i përket stafit administrativ, ai përbëhet nga Drejtori dhe Zëvendës -Drejtori, Zyrtari administrativ si dhe dy punëtorë mirëmbajtës.

Vizioni i shkollës ”Asdreni” është vazhdueshmëria e përpjekjeve për ngritjen e përformancës së shkollës në frymën e shkollës moderne, ngritja e vazhdueshme e mësimdhënies dhe mësimnxënies dhe aspirata të tjera të kapshme.




Ndalohen të gjitha shkrimet dhe komentet që përmbajnë gjuhë diskriminuese,denigruese, të urrejtjes apo të nxitjes së veprimeve penale