Ben BLUSHI, LIBRA – Lëvizja e barabartë

7 November, 2016 | 5:32 am

Dua tju falënderoj që keni ardhur sonte duke ju thënë që në fillim se jam shumë i lumtur dhe po aq i motivuar që jam bashkë me kaq shumë miq të bindjeve të përbashkëta.

Para se të vija këtu sonte po mendoja se kush është vendimi më i rëndësishëm në jetën e një njeriu.

Për fat të mirë njeriu nuk e ka në dorë lindjen e vet dhe pothuajse asnjëherë nuk vendos dot për ikjen e vet.

Por gjatë jetës së tij, njeriu ka kohë dhe mundësi të bëjë shumë gjëra që mund t’ia bëjnë lindjen të dobishme dhe largimin më të ëmbël.

Kush është pra akti më i rëndësishëm i njeriut?

Unë besoj se sonte e di.

Akti më i rëndësishëm është kurajoja për të vendosur.

Njeriu ndryshon nga vendimet që merr. Duke vendosur ai ndryshon jetën e vet dhe jetën e njerëzve të tjerë. Njeriu ushqehet nga mendimet e veta dhe jeton nga vendimet që merr. Vendimet e rrisin dhe e bëjnë atë të dobishëm.

Kjo ide quhet LIBRA.

LIBRA do të jetë një organizatë politike e formuar nga shqiptarët dhe unë jam sot i lumtur që kam nderin të jem pjesë e saj duke qenë i bindur se asnjëherë në jetën time nuk kam qenë në shoqërinë e kaq shumë LIBRAVE.

Ne kemi ardhur të bashkohemi rreth një ideje dhe jo pas një njeriu. Vendimet që lindin pas një ideje janë gjithnjë më të qëndrueshme dhe më të drejta se të gjitha vendimet që të cojnë në ndjekjen e një njeriu.Një njeri mund të largohet,mund te lodhet, mund të përkulet por një ide nuk ndalon edhe kur calon dhe kurrë nuk harron.

A besojmë ne se Shqipëria meriton të drejtohet kaq keq?

A meritojmë ne që vendi të prodhojë kaq shumë mjerim dhe varfëri pas 25 vitesh pluralizëm?

A meritojmë ne të jemi vendi me eksportin më të lartë të emigrantëve në Evropë?

A meritojmë ne të kemi shkollat më të dobëta dhe mësuesit më të parespektuar në Evropë?

A meritojmë ne të kemi shkallën më të lartë të sëmundjeve të shkaktuara nga ndotja dhe paaftesia e shtetit?

A meritojmë ne të kemi administratën më të korruptuar dhe më të politizuar në Evropë?

A meritojme ne këtë nivel pabarazie dhe padrejtësie e cila po e përqëndron pasurinë në pak duar dhe po e shpërndan varfërinë sikur të ishte një virus kombëtar?

A meritojmë ne të drejtohemi nga të fortet,nga të paaftet,nga të padenjet dhe nga të padrejtët?

A meriton një vend i begatë dhe i pasur si Shqipëria të cilës nuk i mungon as dielli,as uji,as deti,as toka,as nëntoka,as qielli dhe as dituria, të kthehet në një parcelë kanabisi për të cënuar shëndetin dhe mendjen e vet bashkë me atë të popujve të tjerë?

A e meritojmë ne këtë shëmti që i ka kthyer pasuritë tona ujore,tokësore dhe nëntokësore në miniera ku shfrytëzohen skllavërisht me mijëra njerez të cilët nuk kanë asnjë të drejtë të përfitojnë nga cfarë është dhe duhet të jetë e përbashkët?

A meritojmë ne të paguajmë kaq shtrenjtë cdo gjë që mund të jetë më e lirë?

A meritojmë ne të blejme me shtrenjte ushqimet, ilacet, librat, energjine dhe ujin ne krahasim me popujt e tjere?

A meritojmë ne tu trashëgojmë brezave të ardhshëm kaq shumë borxh dhe kaq shumë varferi e cila nëse nuk ndalet do ta robëroje Shqipërine për disa dekada të tjera derisa ajo të zbrazet nga shqiptarët?

A meritojmë ne të jemi kaq të varfër dhe kaq të pashpresë?

Unë them se jo.

Ne nuk meritojmë as varfërinë,as mjerimin,as zvetënimin, as ligësinë dhe as abuzimin.

Vetëm kurajoja e qytetarëve të vet të cilët nuk janë kurrë të lumtur nëse nuk janë të lirë,nuk janë kurrë te pasur nëse nuk janë te lirë,nuk janë kurrë të dobishëm nëse nuk janë të lirë dhe nuk përbëjnë kurrë një bashkësi nëse seicili prej tyre nuk është i lirë.

Për këtë arsye kemi vendosur të krijojmë Listën e Barabartë, një bashkim njerëzish dhe idesh progresive te cilët kanë vendosur me vullnet dhe pasion të quhen LIBRA.

http://libra.al/index.php/anetaresohu 

 




Ndalohen të gjitha shkrimet dhe komentet që përmbajnë gjuhë diskriminuese,denigruese, të urrejtjes apo të nxitjes së veprimeve penale