104 vjet nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë

28 November, 2016 | 9:11 am

Sot mbushën 104 vjet nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 1912 në Vlorë. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë erdhi pas përpjekjeve gati 500 vjeçare të popullit shqiptarë nga Perandoria osmane, e cila pushtoi trojet shqiptare, 10 vjet pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeu më 17 janar 1468.

Përpjekja për çlirim e popullit shqiptar dhe popujve të tjerë evropianë nga perandoria osmane nuk janë ndalur asnjëherë deri në dëbimin e saj më 1912-të.

Përveç trojeve shqiptare, Perandoria Osmane për disa shekuj kishte të pushtuara edhe vendet e tjera të Ballkanit, si dhe tentojë të marrë edhe Austrinë, ku pas një lufte dy mujore me Vjenën, më 1683 pëson humbje të mëdha dhe tërhiqet, transmeton KosovaPress.

Pas shumë përpjekjesh e sfidash më 10 qershor 1878 shqiptarët u mblodhën në Prizren dhe formuan Lidhjen e Prizrenit. Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut.

Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë.

Pas firmosjes së Marrëveshjes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, dhe në pritje të kongresit të Berlinit, i cili më shumë mundësi do t’i hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë ideuan këtë mbledhje, në përpjekje për t’u larguar nga sundimi osman.

Më 10 qershor 1878, në Prizren u bashkuan katër vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës.

Kongresi i Berlinit u hap më 13 qershor 1878, me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Në të morën pjesë gjatë fuqitë e mëdha të Evropës: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia.

Copëtimi i parë i trojeve shqiptare u realizua pas vendimeve të Kongresit të Berlinit për të shpërblyer Malin e Zi me Plavën e Gucinë. Gjatë kësaj kohe, iu kaluan Serbisë zonat e Toplicës, Prokuples, Kurshumlisë, Nishit, Vranjes dhe Leskovacit.

Popullsia shqiptare në këto zona u përzu me dhunë, dhe e gjithë u spastrua etnikisht, duke krijuar 70 000 refugjatë shqiptarë që u vendosën në Kosovë e 60 000 të tjerë që u vendosëm në zonën që sot është në Maqedoni. Kongresi i Berlinit i dha Malit të Zi edhe tokat tjera shqiptare, qytetin e Tivarit dhe Podgoricën.

Përpjekja e popullit shqiptar u shua më pas me mosnjohjen e trojeve nga Kongresi i Berlinit dhe luftën e popullit shqiptar kundër perandorisë osmane, e cila rezultoi me copëtimin e Shqipërisë dhe mbetjen e pjesëve tjera nën perandorinë osmane.

Lufta e popullit shqiptar nuk u ndalë deri më 1912, ku në Vlorë u shpallë pavarësia e Shqipërisë dhe përfundimisht populli shqiptarë dëbon nga trojet e veta perandorinë osmane.

Pas kësaj u mbajt Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 1912-1913 e njohur ndryshe edhe si “Konferenca e Paqes në Londër”, i cili ishte një takim ndërkombëtar i gjashtë Fuqive të Mëdha të asaj kohe (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia).

Këto fuqi u mblodhën në dhjetor 1912. Pas shumë diskutimesh, më 29 korrik 1913, ambasadorët morën një vendim formal për të njohur Principatën e Shqipërisë si shtet sovran të pavarur nga Perandoria Osmane, duke e copëtuar edhe njëherë dhe duke marrë dy të tretat e trojeve shqiptare. /KosovaPress/




Ndalohen të gjitha shkrimet dhe komentet që përmbajnë gjuhë diskriminuese,denigruese, të urrejtjes apo të nxitjes së veprimeve penale